Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj zhvilloi në Tiranë një takim me misionin e Bankës Botërore për projektin “Qëndrueshmëria ndaj Klimës dhe Zhvillimit të Bujqësisë”.
Denaj tha se, gjatë takimit, u diskutua mbi ecurinë dhe hapat në vijim për zbatimin e këtij projekti.
Sipas saj, ky projekt me një vlerë rreth 65 milionë euro synon mbështetje në 6 sektorë kryesor të bujqësisë.
“Projekti synon të ofrojë zgjidhje konkrete për përballimin e sfidave klimatike dhe ndikimeve të tyre në sektorin bujqësor, duke forcuar qëndrueshmërinë dhe sigurinë ushqimore, në rrugën drejt “Shqipëria 2030″”, deklaroi Denaj.
Sipas saj, sektorët që do të mbështesë ky projekt janë: përmirësimi dhe modernizimi i sistemeve të ujitje-kullimit; krijimi i “Clustereve” për Vaj Ulliri dhe Fruta-Perime për të rritur standardet e eksportit dhe marketingut të vajit të ullirit si një produkt “Premium”; krijimi i Qendrave Ushqimore për grumbullimin, përpunimin, paketimin dhe shpërndarjen e produkteve bujqësore për tregje si HoReCa; dixhitalizimin e bujqësisë për përmirësimin e prodhimit bujqësor; rritjen e sigurisë ushqimore dhe modernizimin e Pikave të Kontrollit Kufitar.