Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore ka aprovuar sot strategjinë 5-vjeçare të partneritetit me Shqipërinë (2023-2027). Kjo strategji synon të ndihmojë vendin të rimëkëmbet shpejt dhe të transformohet në një ekonomi më të fuqishme, më gjithëpërfshirëse, me aftësi ripërtëritëse dhe më të gjelbër. Në një njoftim për shtyp, zyra e BB në Tiranë, bën të ditur se, strategjia do të përqendrohet në tri sfida kyçe: më shumë dhe vende më të mira pune, përdorim më i mirë i kapitalit njerëzor, dhe rritje e aftësisë përballuese dhe ripërtëritëse ndaj fatkeqësive natyrore dhe goditjeve të llojeve të tjera. Këto drejtime kryesore do të ndërthuren edhe me iniciativa për zgjerimin e digjitalizimit dhe përfshirjes. Strategjia e Partneritetit është në përputhje me përparësitë strategjike të qeverisë dhe mbështetet nga një portofol financiar prej 900 milionë dollarësh. Bordi gjithashtu ka aprovuar 4 projekte të reja për Shqipërinë: Projekti i rindërtimit të urave rezistente (100 milionë $) që synon rehabilitimin e urave në rrezik dhe përmirësimin e sistemeve të tyre të mirëmbajtjes; Projekti i Bujqësisë konkurruese dhe të qëndrueshme ndaj klimës (70 milionë $) që do të përqendrohet në nxitjen e inovacionit në bujqësi, në zgjerimin e ujitjes inteligjente dhe rritjen e aksesit të produkteve bujqësore në tregjet vendase dhe ato të BE-së; Projekti i Qasjes Universale në Shërbime Publike me Standard të Lartë (GovTech) (65 milionë $) qe do të ndihmojë digjitalizimin e shërbimeve publike dhe zgjerimin e aftësive digjitale për fëmijët në shkolla; Projekti i Financimit te Politikave të Zhvillimit (120 milionë $) qe do të ndihmojë në forcimin e aftësisë ripërtëritëse të ekonomisë dhe qëndrueshmërinë mjedisore të modelit të rritjes së Shqipërisë.
BB, 900 mln USD investime në bujqësi, ura dhe zhvillim ekonomik
RELATED ARTICLES