Financimi shtesë vjen si rezultat i progresit të projektit kryesor “Përmirësimi i Aksesit të Barabartë në Shërbimet Publike me Standarde të Larta përmes GovTech” (prej 65 milionë USD), i cili synon të rrisë aksesin dhe cilësinë e shërbimeve publike.
Financimi shtesë i sapomiratuar do të zgjerojë aktivitetin e programit në tri fusha të rëndësishme:
Rimodelimi dhe digjitalizimi i shërbimeve të qeverisjes vendore: Kjo do të sigurojë efikasitet në aksesin ndaj një game të gjerë shërbimesh administrative bashkiake, duke sjellë përfitime për qytetarët dhe bizneset.
Zhvillimi i një platforme të re digjitale për prokurimin publik: Duke integruar inovacionin e bazuar në inteligjencën artificiale, kjo platformë do të rrisë transparencën, efikasitetin dhe llogaridhënien në proceset e prokurimit publik, duke sjellë kursim dhe efikasitet në kontraktimet që bëjnë institucionet qeveritare.
Zbatimi i një sistemi të ri për menaxhimin e financave publike: Përmes hartimit dhe zbatimit të një sistemi të ri digjital për menaxhimin e financave publike, programi do të ndihmojë qeverinë qendrore dhe vendore të menaxhojnë më shpejt dhe më saktë buxhetin për investime publike për popullsinë lokale.