Bashkia e Shkodrës bën të ditur se sektori i turizmit ka një impakt të dukshëm në ekonominë e qytetit, ndaj është thelbësore që zhvillimi i tij të bazohet në strategji të qëndrueshme dhe afatgjata.

Bashkia Shkodër është e përkushtuar në hartimin e Strategjisë Lokale të Zhvillimit të Turizmit, që përfshin projekte të rëndësishme për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve publike: Rruga Shirokë-Zogaj; Rruga e Dukagjinit; Parku i hyrjes së qytetit; Molet e liqenit të Shkodrës; Rruga Shëngjin-Velipojë; Rruga Velipojë-Pulaj dhe ura lidhëse me Ulqinin.

“Këto investime në infrastrukturë dhe shërbime publike, si pastrimi dhe ndriçimi efikas, janë të domosdoshme për të forcuar turizmin e qëndrueshëm dhe për t’i sjellë përfitime të vazhdueshme qytetarëve dhe vizitorëve”, theksohet në një postim në rrjetet sociale të bashkisë Shkodër.

Në të gjitha qarqet e vendit kanë nisur tryezat konsultuese nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për Strategjinë Kombëtare të Turizmit 2024-2030.