Në kuadër të Javës së Familjes, bashkia Shkodër organizoi një aktivitet të veçantë me përfituesit e projektit “Fuqizimi i komunitetit përmes ofrimit të shërbimeve ditore të alternuara për fëmijët dhe familjen”, duke e kthyer këtë takim në një festë të mirëfilltë të kalimit të kohës cilësore mes prindërve dhe fëmijëve.
Në njoftimin e bashkisë, thuhet se ky aktivitet shënoi mbylljen e një projekti të rëndësishëm, i cili përmes shërbimeve ditore dhe aktiviteteve të strukturuara, ka sjellë më shumë mbështetje, përfshirje dhe zhvillim për fëmijët dhe familjet në komunitet e lagjes Nr.1 dhe Nr.5.
“Në një atmosferë të ngrohtë dhe gjithëpërfshirëse, prindërit dhe fëmijët patën mundësinë të lidhen më fort përmes lojërave, aktiviteteve kreative dhe kohës së përbashkët sepse cilësia e kohës së kaluar së bashku ndërton marrëdhënie më të shëndetshme dhe më të qëndrueshme”, nënvizohet në njoftim.
Bashkia Shkodër mbetet e angazhuar për të mbështetur dhe fuqizuar familjet, duke zgjeruar shërbimet sociale dhe duke krijuar mundësi të reja për rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve në një mjedis të sigurt dhe mbështetës.