Bashkia e Selenicës kufizohet në veri me bashkinë Fier, në lindje me bashkinë Mallakastër, Tepelenë dhe Memaliaj, në jug me bashkinë Himarë dhe perëndim me bashkinë Vlorë. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Selenicës. Sipas Censusit të vitit 2011, zona e bashkisë së re Selenicë ka një popullsi prej 18.476 banorësh ndërsa në Regjistrin Civil rezulton me 35.793 banorë. Bashkia e re ka një sipërfaqe prej 561.24 km2. dhe me densitet popullsie 63.77 banorë/km2.
Kjo bashki përbëhet nga 6 njësi administrative. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 47 fshatra. Bashkia e re e Selenicës shtrihet në një zonë kodrinore në bregun e majtë të lumit Vjosa si dhe përgjatë lumit Shushicë, i cili është tributar i Vjosës.
Bashkia e re ka në territorin e saj minierën historike të bitumit në Selenicë, ku punësohen edhe banorët e fshatrave përreth, si dhe zonën naftëmbajtëse të Vllahinës. Bujqësia dhe blegtoria është aktiviteti kryesor ekonomik i bashkisë së re, popullsia e të cilës bazohet veçanërisht shumë te reminitancat nga emigracioni.