Bankingu i hapur, Banka e Shqipërisë licencon subjektin e parë financiar

0
0

Sipas njoftimit të BSH-së, bankingu i hapur u bë realitet në vitet 2018 – 2019, kur hyri në zbatim direktiva evropiane e rishikuar për shërbimet e pagesave, e njohur si PSD2. Ky transformim revolucionar i bankingut u përqafua menjëherë nga Banka e Shqipërisë, si pioniere në rajon, falë vizionit të saj për modernizimin e sistemeve të pagesave në Shqipëri dhe përafrimin me standardet evropiane. Pas një pune intensive për hartimin, koncepti inovator u prezantua për tregun shqiptar të pagesave nëpërmjet ligjit 55/2020 “Për shërbimet e pagesave”, ku u paraqit koncepti i ofruesit të shërbimit të inicimit të pagesës dhe ofruesit të shërbimit të informimit të llogarisë (të ashtuquajtur edhe ofrues të palëve të treta (Third Party Providers – TPP), si palë të rëndësishme të bankingut të hapur.

Kuadri rregullator u plotësua më tej me rregulloren 29/2022 “Për autentifikimin e thelluar të klientit dhe standardet e përbashkëta, të hapura dhe të sigurta të komunikimit”, që parashikon standardet teknike për komunikimin e hapur dhe të sigurt për ofrimin dhe përdorimin e shërbimit të pagesave ndërmjet pjesëmarrësve në shërbimet e pagesave.

BSH-ja njofton se, korniza ligjore e rregullative hapi rrugën dhe krijoi terrenin për të vënë në zbatim bankingun e hapur në Shqipëri. Nga ana tjetër, aktorët e tregut morën masa për të operacionalizuar dhe bërë funksional këtë koncept në praktikë. Për këtë qëllim, gjatë vitit të fundit, bankat kanë përshtatur sistemet e tyre informatike dhe janë pajisur me certifikatat e kualifikuara për vulat elektronike, për të krijuar kushtet e përshtatshme për një komunikim të sigurt me ofruesit e palëve të treta.

Gjithashtu, është bashkëpunuar në mënyrë intensive si dhe është dhënë në vazhdimësi një kontribut i qënësishëm nga ana e qeverisë shqiptare e autoritetet vendase si Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe AKSK, duke realizuar të gjitha testimet e nevojshme për të siguruar integrimin dhe funksionimin e plotë të shërbimeve, sipas standardeve Evropiane të sigurisë.

Së fundi, pas plotësimit të kërkesave ligjore dhe rregullative licencuese, Banka e Shqipërisë ka dhënë miratimin për licencimin e parë të bankingut të hapur: institucionin e parasë elektronike Easypay sh.p.k. Ky licencim i hap rrugën fillimit të ofrimit të këtyre shërbimeve në tregun shqiptar.