Të gjitha bankat në botë po rrisin normat e interesit për të frenuar inflacionin, pra rritjen e çmimeve. Ndikimi i shtrëngimit monetar është reflektuar edhe në Shqipëri. Pasojat janë të dukshme, por çmimet ende nuk po frenohen. Pothuajse asnjë nga bankat qendrore, të paktën në kontinentin tonë, nuk po hezitojnë të rrisin çmimin e parasë në treg. Banka Qendrore Evropiane (BQE) njoftoi nga Frankfurti se, për të luftuar inflacionin, e rriti me tej normën e interesit. Presidentja e kësaj banke, Christine Lagarde theksoi vendosmërinë e Bankës Qendrore në luftën kundër inflacionit të lartë. “Ne do të bëjmë atë që duhet të bëjmë. Kjo do të thotë të rrisim normat e interesit në takimet e ardhshme. Në qoftë se BQE nuk do përmbush mandatin e saj për të garantuar stabilitetin e çmimeve, do të dëmtonte shumë më tepër ekonominë”, tha Lagarde. Për herë të parë pas 11 vitesh, pas shumë hezitimesh, Këshilli Drejtues i BQE rriti normat e interesit në eurozonë në 21 korrik të këtij viti me 0,5%. Rritja e dytë pasoi më 8 shtator – për herë të parë në historinë e bankës qendrore me 0.75 %. Për një kohë të gjatë, BQE e kishte interpretuar inflacionin e lartë si të përkohshëm prandaj filloi rritjen e normës së interesit më vonë se Rezerva Federale e SHBA. Në tetor, për herë të tretë brenda 3 muajsh, BQE rriti përsëri normën bazë të interesit me 0,75%, duke e shpënë atë nivelin 2%. Me rritjen e normave të interesit, kjo bankë synon të shtrenjtojë kreditë dhe të frenojë kërkesën për to, si përgjigje ndaj inflacionit, i cili arriti një nivel rekord në tetor, si pasojë e rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve. Krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, çmimet e konsumit në eurozonë janë dyshifrore. Sipas ekspertëve të fushës, politika shtrënguese e bankave qendrore, përfshirë edhe Bankën e Shqipërisë, synon uljen e inflacionit, që, megjithatë, do kërkojë kohë të japë rezultat, ndërsa do ketë ndikim të menjëhershëm te depozituesit dhe huamarrësit. Ndikimi pozitiv i rritjes së interesave të depozitave, do shoqërohet me ndikim negativ për huamarrësit. Huamarrësit që kanë marrë kredi me norma të ndryshueshme kredie, janë veçanërisht të prekur nga masat shtrënguese të Bankës Qendrore Europiane, të cilat janë ndjekur edhe nga Banka e Shqipërisë. Rritja e normës bazë të interesit nga bankat qendrore do ndikojë negativisht te kreditorët, që u nevojiten kredi për vazhdimin e aktivitetit ekonomik, veçanërisht për ata që ndërtojnë e blejnë shtëpi. Interesat e larta te kredive priten të sjellin uljen e kreditimit, duke ngadalësuar rritjen ekonomike. Edhe Rezerva Federale e SHBA e ka rritur tashmë normën e interesit në 4% kundrejt 2% në eurozonë. BQE, me vendimin e fundit, po ecën në të njëjtin drejtim, duke rezervuar të drejtën për të ndihmuar vendet e BE me borxhe te mëdha në euro, nëpërmjet blerjes së bonove. Politika shtrënguese monetare dhe rritja e çmimit të parasë ende nuk po reflektohet në uljen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, duke shtrenjtuar jetesën për njerëzit kudo në botë.https://lajme.rtsh.al/artikull/inflacioni-i-larte-banka-qendrore-evropiane-do-rrise-normat-e-interesit-ndikim-negativ-te-kreditoret
Banka Qendrore Evropiane do rrisë normat e interesit
RELATED ARTICLES