Këto rezerva përbëhen nga kapital dhe instrumente të tjerë financiarë, si obligacione, dhe shërbejnë si amortizues në rast krizash financiare apo falimentimesh të mundshme. Synimi është që në skenarë të rrezikshëm humbjet të përballohen nga vetë bankat, pa cenuar paratë e depozituesve apo duke kërkuar ndihmë shtetërore.

Në Shqipëri, pesë bankat më të mëdha, të cilat mbajnë rreth 75% të totalit të aktiveve bankare, klasifikohen si institucione me rëndësi sistemike. Për këtë arsye, vetëm ato janë subjekt i detyrimeve MREL, pasi çdo problem i madh financiar tek njëra prej tyre mund të ndikojë seriozisht në stabilitetin e gjithë sistemit bankar.

Banka e Shqipërisë thekson se objektivi përfundimtar i këtyre institucioneve është të arrijnë një nivel rezervash prej 24,9% deri në vitin 2027, për të siguruar që bankat të kenë aftësinë të përballojnë goditje të rënda pa rrezikuar sistemin financiar të vendit.

Ky progres vlerësohet si një hap i rëndësishëm në drejtim të forcimit të rezistencës së sistemit bankar shqiptar dhe mbrojtjes së interesave të qytetarëve dhe bizneseve në rast të zhvillimeve të paparashikuara ekonomike.