Strategjia Afatmesme e Zhvillimit të Bankës së Shqipërisë përcakton objektivat institucionalë të Bankës së Shqipërisë për periudhën 2025-2027, duke shërbyer gjithashtu si udhëzues për përgatitjen e buxhetit orientues afatmesëm.

Strategjia synon t’u japë një përgjigje proaktive sfidave të mjedisit ku operon Banka e Shqipërisë; të rrisë bashkëpunimin brenda institucionit; të nxisë përdorimin efektiv dhe eficient të burimeve; si dhe të promovojë transparencën dhe llogaridhënien publike.

Ajo përfshin funksionet kryesore të BSH-së: politikat (politika monetare, rezerva valutore, mbikëqyrja bankare, politika makroprudenciale), infrastrukturën financiare (emisioni i parasë, sistemet e pagesave); funksionet horizontale (kërkimet, statistikat); dhe shërbimet mbështetëse (burimet njerëzore, kontrolli i brendshëm, kontabiliteti dhe IT).

Po ashtu në mbledhjen e sotme miratoi edhe buxhetin e Bankës për vitin 2025 dhe buxhetin orientues afatmesëm për vitet 2026 – 2027.

Buxheti i miratuar për vitin 2025 dhe ai orientues afatmesëm për vitet 2026-2027 garanton përmbushjen e objektivave strategjikë të Bankës së Shqipërisë të parashikuar në Strategjinë e saj Afatmesme të Zhvillimit.

Në hartimin e tij janë mbajtur parasysh situata aktuale në tregjet ndërkombëtare financiare, zhvillimet ekonomike dhe financiare brenda vendit, shpenzimet korrente dhe ato kapitale të domosdoshme për miradministrimin e aktiveve dhe burimeve njerëzore.