“Të çelen arkapijat” është një projekt që sjell vëmendjen te monumentet e kulturës në qytetin e Shkodrës. Projekti po zbatohet nga Shoqata M.I.R.A dhe mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në kuadër të thirrjes për mbështetje financiare të projekt-propozimeve në fushën art-kulturë-trashëgimi kulturore. “Të çelen arkapijat” solli në vëmendje banesën shkodrane të familjes Muhamet Shurdha, Monument Kulture, Kategoria I, shpallur në vitin 1977. Kjo banesë është mbi 200 vjeçare dhe përfaqëson tipologjinë e banesës së fund shek XVIII, fillim shek XIX, ku spikat zbukurimorja e ornamentikës së brendësisë së mjedisit, tavan oktagonal me rozetë rrethore, mure të pikturuara të ruajtura pa u lyer deri në ditët tona, me vlera të rralla arkitekturore. Banesa, sot ruan të patjetërsueshme objekte dhe dokumenta që faktojnë ngjarje historike dhe kulturore të familjes e ngjarjeve të kohës të lidhura ngushtësisht me tregtinë dhe detarinë. Familja e Muhamet Shurdhës është një ndër të shumtat familje shkodrane që në kohën e luftës së dytë botërore kanë strehuar familje hebreje. Projekti “Të çelen arkapijat” frymëzohet nga deriçkat që bashkonin kopshtet e shtëpive të hershme shkodrane. Zakonisht ato lidhnin kopshtet prapa shtëpive, duke lidhur në këtë mënyrë edhe fqinjët me njëri-tjetrin.