Një zjarr i madh pyjor u vu nën kontroll sot në Eubea, ishulli i dytë më i madh në Greqi, pasi një numër vendesh ballkanike raportuan zjarre të mëdha. ”Zjarri në Eubea u përhap me shpejtësi në terrene të pakalueshme”, tha një zëdhënës i brigadës së zjarrfikësve. Disa fshatra dhe qytete në rajonin e prekur në pjesën jugore të ishullit u evakuuan si masë paraprake. ”Më shumë se 200 zjarrfikës dhe qindra vullnetarë po luftonin me flakët”, thanë autoritetet. Përveç shtatë avionëve dhe katër helikopterëve, roja bregdetare ishte gjithashtu në vend me një anije zjarrfikëse. Njësitë e zjarrfikësve do të vazhdojnë monitorimin e situatës dhe zbulimin dhe shuarjen e çdo burimi të ri zjarri në një fazë të hershme. ”Zjarri në Eubea është vetëm një nga më shumë se 50 zjarre që kanë shpërthyer në Greqi brenda 24 orëve”, sipas zëdhënësit të zjarrfikësve. Megjithatë, zjarret u vunë shpejt nën kontroll pothuajse kudo. Ishulli Eubea, i cili është i njohur për turistët që udhëtojnë nga Athina e afërt, është shkatërruar vazhdimisht nga zjarret e mëdha pyjore. ”Këtu jemi mësuar me zjarre prej shumë vitesh”, tha për gazetën ”Kathimerini”, kryebashkiaku i Kymi-Aliverit, qytet i goditur nga zjarret. Me rreth 200 000 banorë, Eubea nuk është shumë e populluar, por është shumë e pyllëzuar. Në vitin 2021, më shumë se 50 000 hektarë pyje me pisha në veri të ishullit ranë viktimë e flakëve. Fqinjët ballkanikë të Greqisë panë gjithashtu një numër incidentesh që përfshinin zjarre të martën. Në Maqedoninë e Veriut, një burrë vdiq pasi autoritetet nuk ishin në gjendje ta shpëtonin atë nga shtëpia e tij e djegur në një fshat në lindje të Shkupit. Ai besohet se ka vdekur nga thithja e tymit. Rreth 14 zjarre ishin ende aktive në vend të martën, nga 46 një ditë më parë. Forcat zjarrfikëse dhe ushtria po përdorin helikopterë për të shuar zjarrin. Mediat raportuan skena dramatike nga fshati Sveti Nikollë. Banorët u bindën me shumë vështirësi të largoheshin nga shtëpitë e tyre të djegura. Në rajonin jugor kroat të Dalmacisë, pyjet e pishave dhe ullishtat u dogjën, ndërsa fshati Plastovë pranë Parkut Kombëtar Krka u evakuua. Nga një zjarr i madh është përfshirë edhe qyteti bregdetar shqiptar i Shëngjinit, i cili ka nisur në një pyll para se të përhapet drejt zonës urbane. Turistët u larguan nga qyteti, ndërsa familjet vendase u sollën të sigurt nga brigada e zjarrfikësve dhe ushtria, të cilat vendosën helikopterë zjarrfikës.