Në këtë shfaqje, prodhim i Fondazione Nazionale della Danza “Aterballetto”, tingujt e Morricone-s marrin formë përmes kërcimit.

Ennio Morricone, me mbi 500 kolona zanore për filma që kanë shënuar historinë e kinemasë botërore, gjeni i rrallë që e ktheu muzikën në gjuhë të shpirtit erdhi për publikun shqiptar në disa dimensione.

Kjo shfaqje e vënë në skenë nga koreografi spanjoll Marcos Morau, një prej emrave më vizionarë të kërcimit bashkëkohor europian, krijon një univers ku lëvizja, drita, muzika dhe kujtesa e kinemasë italiane ndërthuren në një peizazh ndjenjash.

Performanca gjithëpërfshirëse e 16 balerinëve ndërthur vallëzimin, artet vizuale dhe ndikimet kinematografike.

Shfaqja “Notte Morricone” merr frymëzim dhe imazhe nga trashëgimia e kompozitorit Morricone, fitues i dy çmimeve Oscar, tre çmimeve Grammy, tre çmimeve Golden Globes, gjashtë çmimeve BAFTA, dhjetë çmimeve David di Donatello, njëmbëdhjetë çmimeve Nastri d’Argento, dy çmimeve europiane të Filmit dhe një Luani të Artë për Arritje Gjithëpërfshirëse – për një poezi të re të trupit.

Notte Morricone zhvillohet në muzgun e një nate të zakonshme në jetën e një krijuesi. I vetëm dhe i hutuar para letrave të tij, ai mban shënime dhe vizualizon melodi për filma që ende nuk janë krijuar. Nata është e mbushur me vizitorë, dhe atje, midis letrave dhe notave muzikore, shfaqet djali, ai që donte të bëhej mjek, ai që e dinte se nuk mund të luante trombë si Chet Baker, por për të cilin jeta kishte rezervuar një fat të ndryshëm: të bëhej një ikonë për përjetësinë.