Baleti klasik “Bukuroshja e fjetur” na rikthen në botën e përrallave, aty ku dashuria dhe besimi triumfojnë mbi të keqen. Me muzikën e pavdekshme të Tchaikovskit dhe një koreografi mahnitëse, kjo shfaqje, e cila sjell në skenën shqiptare balerinët e Teatrit të Varnës, na fton të përjetojmë një botë të magjishme plot princa, princesha dhe magjistarë.
Bashkëpunimi me Teatrin e Varnës, një risi e frytshme që nisi me kalendarin artistik të vitit 2023, vazhdon të përqafohet nga TKOB edhe gjatë 2024-ës, duke sjellë shkëmbime të suksesshme artistësh dhe produksionesh.

Baleti klasik “Bukuroshja e Fjetur” do të jetë në skenë mbrëmjen e dates 13 tetor. Historia flet për princeshë Aurorën, e cila është e mallkuar të shpojë gishtin në një makinë tjerrëse dhe të flejë për 100 vjet. Magjia mund të prishet vetëm nga puthja e një princi.

Ky balet u performua për herë të pare në vitin 1890 në Shën Pjetërburg të Rusisë, bazuar në përrallën e Charles Perraults “Bukuroshja e fjetur në pyll”.