Lindi në Gjakovë, Bajram Curri.
Ai ishte një ndër protagonistët kryesorë të lëvizjes kombëtare dhe proceseve shtetformuese shqiptare në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX.
Veprimtaria politike e Bajram Currit nisi me angazhimin në Lidhjen e Pejës (1899-1900). Veproi si një prej drejtuesve kryesorë në kryengritjet antiosmane (1908-1912) duke luftuar për autonominë e Shqipërisë dhe për mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit.
Bajram Curri kontribuoi në zhvillimin e arsimit në Kosovë. Ai mbështeti klubin “Bashkimi” të Shkupit në përpjekjet për përhapjen e shkollave shqipe dhe zbatimin e alfabetit të Kongresit te Manastirit.
Si komandant, udhëhoqi kryengritjet e viteve 1910–1912, ndërsa pas shpalljes së Pavarësisë u integrua në jetën politike të shtetit të ri. Gjithashtu luftoi edhe në Kosovë kundër zgjedhës serbe. Shprehu mospajtimin me vendimet e Fuqive të Mëdha në kuadër të Konferencës së Londrës të vitit 1913. Në vitin 1918 u zgjodh anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe qe një ndër udhëheqësit kryesorë të tij.
Në vitin 1920, ai mori pjesë në Kongresin e Lushnjës, ku u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar. Në zhvillimet e brendshme politike të viteve ’20 të shek. XX, ai u rreshtua me krahun liberal-demokratik, duke mbështetur Lëvizjen e Qershorit dhe qeverinë e Fan Nolit.
Jeta e tij u ndërpre më 29 mars të vitit 1925 në Dragobi, duke mbetur në historiografinë shqiptare si një simbol i qëndresës për bashkim, liri dhe organizim shtetëror





