AZHBR njoftoi sot se vazhdon mbështetjen me naftë për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi, nga Skema Kombëtare 2023. Sipas AZHBR-së, deri më sot janë 11,441 fermerë të cilët janë pajisur me kartat e naftës falas, për një sasi prej 2,420,206 litrash. Përmes kësaj mase fermerët përfitojnë ulje të kostove të punimeve sipas kulturave bujqësore të mbjella, duke ndikuar në rritjen e prodhimit. Sasia e naftës së përcaktuar mund të tërhiqet deri në datën 31 dhjetor 2023. Qeveria po zbaton prej dy vitesh skemën mbështetëse të naftës pa taksa për bujqësinë, duke lehtësuar buxhetet e fermerëve në punët e bujqësisë. Buxheti adresuar kësaj skeme ka ardhur në rritje, teksa është rritur edhe interesi i fermerëve për të përfituar nga kjo masë. Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, krahasuar me vitin 2021, këtë vit numri i aplikantëve në skemën e naftës pa taksa për bujqësinë është rritur në 50 mijë nga 20 mijë aplikantë që ishin një vit më parë. Teksa është dyfishuar apo trefishuar edhe buxheti për naftën për bujqësinë. Kjo skemë po vazhdon zbatimin me sukses dhe sot është nevojë shumë e madhe duke parë dhe rritjen e çmimit të naftës në treg. Skema e naftës pa taksa për fermerin lehtëson kostot e prodhimit, teksa synon mbështetjen e prodhimit vendas bujqësor. Ekspertët e vlerësojnë skemën e naftës si mbështetjen më të madhe që i është dhënë ndonjëherë fermerëve nëpërmjet skemës kombëtare. Këtë vit qeveria ka dhënë 2 miliardë lekë për naftën, ndërsa skemat e tjera mbështetëse janë të qëndrueshme prej disa vitesh, siç është ajo për bletarinë, blegtorinë e serrat. Deri tani janë shpërndarë mbi 8 milionë litra naftë. Ndërsa janë 36 mijë fermerët përfitues të naftës, deri në fund të shtatorit. atsh