Friday, October 25, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIAZHBR verifikim në terren për sipërfaqet

AZHBR verifikim në terren për sipërfaqet

Fermerët i janë rikthyer prodhimit të grurit, falë politikave mbështetëse që vijon të ndërmarrë qeveria për zhvillimin e bujqësisë. Masat mbështetëse të Skemës Kombëtare dhe shpërndarja e naftës pa taksa për punimet e mekanizuara në bujqësi, po shtojnë interesin e bujqëve të zgjerojnë sipërfaqet e mbjella me kultura bujqësore dhe së fundi edhe me drithëra. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca i tha ATSH-së, se “AZHBR po kryen kontrollet në terren për sipërfaqet e mbjellja me grurë, me qëllim aplikimin e mbështetjes financiare për fermerët, nga Skema Kombëtare 2022”. Sezoni i mbjelljes së grurit, ka nisur në mesin e muajit tetor dhe vijon deri nga fundi i nëntorit. Ndërkohë kontrollet vijojnë në të gjithë territorin për mbjelljet e reja të parcelave me grurë për të gjithë fermerët që kanë dorëzuar dokumentacionin e pronësisë apo të përdorimit të tokës. Sipas AZHBR-së, ekipet e kontrollit do të verifikojnë në terren sipërfaqen reale të mbjellë me grurë, ndërsa pagesat kryhen për sipërfaqen faktike të mbjellë dhe pas dorëzimit të faturës për farën e grurit dhe të plehrave kimike. Qeveria mbështet këtë vit me subvencione fermerët, në vlerën e 30,000 lekëve për jo më pak se 1 ha sipërfaqe të mbjellë grurë, për shkak edhe të krizës së grurit që nisi me luftën Rusi-Ukrainë. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bëri të ditur se, skema synon rritjen e të mbjellave me grurë, por edhe lehtëson kostot e fermerëve nga shtrenjtimi i çmimeve të inputeve bujqësore. Sipas MBZHR, në këtë skemë aplikuan 7470 fermerë, për 40 % të sipërfaqes së tokës bujqësore që mbillet me grurë (ose 30,000 ha). Në vendin tonë për vitin 2021 sipërfaqja e mbjellë me grurë shënoi 54,514 ha me një prodhim prej 225,171 tonë. Numri aktual i aplikimeve sipas Ministrisë së Bujqësisë tregon se interesi është i lartë, pasi edhe skema krijon avantazh. “Nuk përfiton kush aplikon i pari, por ai që mbjell sipërfaqe të lartë (jo më pak se 1 ha) pasi aplikon dhe dorëzon dokumentacionin për blerjen e farës dhe inputeve bujqësore, ndihma financiare prej 30,000 lekë do t’i disbursohet brenda 31 dhjetorit 2022”, theksoi MBZHR. Aplikimet për subvencion nisën më 1 shtator dhe vijuan deri më 23 shtator 2022. Të dhënat e MBZHR tregojnë se, sipërfaqja totale bujqësore e shfrytëzuar në Shqipëri është 1,174,081 hektarë, e strukturuar: 611,346 ha tokë arë (50,7%), kullota dhe livadhe janë 478,081 ha (40,7 %), dhe 84,654 ha (7,2%) janë kulturat shumëvjeçare.https://ata.gov.al/2022/11/10/mbeshtetja-per-grurin-azhbr-verifikim-ne-terren-per-siperfaqet-e-mbjella/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments