Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, bën të ditur se, mbështetja për bletarinë vijon edhe gjatë vitit 2025 përmes Skemës Kombëtare, me synim zhvillimin afatgjatë të sektorit.

Sot bletaria është kthyer në një ‘industri më vete’, sa i takon kontributit dhe zhvillimit që po merr, duke u shtrirë në të gjithë vendin dhe në numër është trefishuar këto 20 vitet e fundit, si nga tradita e pasioni dhe rritja e të ardhurave.

Në Ditën Botërore të Bletëve, Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, (AZHBR) informon se, gjatë vitit 2024, përmes Skemës Kombëtare, ka mbështetur 4,056 bletarë në zgjerimin e koshereve dhe rritjen e prodhimit vendas të mjaltit.

Sipas AZHBR, financimi i drejtpërdrejtë i bletarëve, përmes subvencioneve ka forcuar rolin e bletarisë në zinxhirin ushqimor kombëtar.

Bletaria është një sektor strategjik për mbrojtjen e biodiversitetit dhe sigurimin e ushqimit të qëndrueshëm.

Në Shqipëri, ky sektor ka njohur zhvillim të vazhdueshëm, duke kontribuar në përmirësimin e ekonomisë dhe ekosistemit.

Sot numërohen rreth 500,000 zgjoje bletësh në të gjithë vendin, ku vetëm në 10 vitet e fundit numri i zgjojeve është rritur me 64 %, duke ndikuar ndjeshëm në nivelin e prodhimit të mjaltit për tregun dhe për eksport.