Azem Shkreli lindi më 10 shkurt të vitit 1938 në Shkrel të Rugovës. Fëmijëria e tij e hershme e kaloi me gjyshen, pasi e ëma i kishte ndërruar jetë në vitin 1940, kur Azemi ishte vetem dy vjeç. Pas përfundimit të shkollimit fillor në fshatin Nakël, shkollimin e mesëm e vazhdoi në Prishtinë. Ai i përfundoi studimet në vitin 1965 në Fakultetin e Filozofisë në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe.
Si student, Azemi filloi të shkruante për gazetën ditore Rilindja dhe të shërbente si sekretar në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës. Nga viti 1960-1975 ai ishte drejtor i Teatrit Popullor Krahinor në Prishtinë ndërsa më 1 shtator 1973 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës në ndërkohë që ishte edhe anëtar ekzekutiv i Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë. Ka drejtuar “Kosovafilmin” nga 1975 deri në vitin 1991, kur edhe u mbyll ky institucion me mbylljen e administratës publike në Kosovë. Ai vuri themelet e para të bashkëpunimit të dramës në gjuhën shqipe mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Në vitin 1960 shkroi librin e tij të parë me poezi “Bulëzat”, duke vazhduar më pas me veprat si “Engjujt e rrugëve”, “Karvani i bardhë”, “E di një fjalë prej guri”, “Sytë e Evës” etj. Ai u ngulit në kujtesën e lexuesit të Kosovës si poeti i personifikimit të fjalës-figurë në poezinë e tij, e cila merrte trajtat e qenies së mohuar dhe të ndaluar nga regjimi.
Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja. Shfaqja e Azem Shkrelit si poet përveçse përputhej me ardhjen e talentit të fuqishëm, shënonte njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezisë shqipe të Pasluftës.
Shkreli u ngjit natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën, deri në atë të fundit, që e la dorëshkrim “Zogj dhe gurë”, botuar më 1997.
Ndërroi jetë më 24 maj të vitit 1997 në aeroportin e Prishtinës, ku sapo kishte zbritur nga fluturimi nga Gjermania.





