Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, Avokati i Popullit u ka përcjellë sot partive kryesore politike shqiptare Kodin e Sjelljes gjatë fushatave zgjedhore, me qëllim nxitjen e një debati politik të civilizuar, të lirë nga gjuha e urrejtjes, përçarjes apo diskriminimit.

Sipas njoftimit për mediet, Avokati i Popullit është një nga institucionet nismëtare të këtij kodi, në bashkëpunim dhe me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, si pjesë e angazhimeve të institucioneve publike për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe për garantimin e një procesi zgjedhor të ndershëm e gjithëpërfshirës. Hartimi i tij është fryt i një procesi të nisur në vitin 2021 në kuadër të Aleancës Kundër Gjuhës së Urrejtjes, me mbështetjen e aktorëve institucionalë dhe politikë.

Në njoftim, cilësohet se Kodi i Sjelljes është një marrëveshje morale që kërkon respektimin e standardeve më të larta të komunikimit publik nga të gjitha partitë, pavarësisht nëse janë ose jo nënshkruese formale të tij. Ai bazohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Kodin Zgjedhor dhe në Rekomandimin nr. 15 të ECRI (Komisioni Evropian Kundër Racizmit dhe Intolerancës), që Shqipëria e ka pranuar si angazhim ndërkombëtar.

Avokati i Popullit thekson se, në këtë kontekst, zbatimi i Kodit është një detyrim moral e institucional, dhe sjellja gjatë fushatës do të jetë edhe objekt monitorimi nga ECRI (Komisioni Evropian Kundër Racizmit dhe Intolerancës) gjatë vizitës së paralajmëruar në qershor 2025.