Titujt qeveritarë janë instrumente borxhi të cilët emetohen dhe garantohen nga qeveria e Republikës së Shqipërisë. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama ftoi qytetarët të investojnë në bono thesari dhe obligacione, instrumente këto sipas saj të sigurt, të mbrojtur dhe me risk zero. “Në një kohë sfidash ekonomike si këto që po kalojmë të gjithë mund t’i jepni vlerë investimit tuaj dhe shtoni portofolin, për të siguruar më shumë të ardhura”, tha ministrja. Ministria e Financave dhe Ekonomisë emeton tituj qeveritar rregullisht në treg nëpërmjet ankandeve. Titujt qeveritarë mbartin risk më të ulët në krahasim me investimet e tjera dhe ndihmojnë në diversifikimin e portofolit të investimit. Kanë kthime me të larta krahasuar me normat e depozitave të bankave të nivelit të dytë për të njëjtin maturitet dhe janë të tregtueshëm menjëherë në tregun sekondar. Pjesën më të madhe të titujve qeveritarë e mban sistemi bankar, afërsisht 63 %, ndërsa individët mbajnë rreth 10% të totalit. Normat vjetore aktualisht variojnë nga 2.78% për bonot e thesarit 3-mujore, ndërsa për obligacionet shkon deri në 8.39%. Ekspertët thonë se tendenca është në rritje. Procedura e pjesëmarrjes së individëve në ankand bëhet nëpërmjet bankave të nivelit të dytë. Hapi i parë është hapja e një llogarie cash dhe titulli për pjesëmarrje në ankandin e titujve qeveritarë, pranë bankave të nivelit të dytë. Hapi i dytë është derdhja e fondeve që do të investohen në llogarinë e hapur për këtë qëllim, dhe hapi i tretë është plotësimi i kërkesës për pjesëmarrje në ankand. Për ta bërë më të lehtë këtë proces sot janë rihapur sportelet për tregtimin e bonove të thesarit përmes Bankës së Shqipërisë në 6 qytete të vendit: Tiranë, Gjirokastër, Korçë, Shkodër, Elbasan dhe Lushnjë.https://ata.gov.al/2022/11/15/avantazhet-e-investimit-ne-tituj-qeveritare/