Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve njofton se gjendja epizootike në vendin tonë është e pastër, në kushtet kur në vendet fqinje dhe të Ballkanit janë shfaqur disa sëmundje infektive në kafshë, si: Murtaja e Ruminantëve të Vegjël, Bruceloza, Tuberkulozi, etj.
Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve bën të ditur se aktualisht nuk është konstatuar asnjë rast me Murtajën e Ruminantëve të Vegjël (sëmundje që po shkakton dëme në Greqi dhe Rumani).
Rastet e diagnostikuara me Brucelozë dhe Tuberkuloz janë sporadike dhe janë trajtuar sipas legjislacionit në fuqi.
“MBZHR, AKVMB, AKU në bashkëpunim dhe me institucione të tjera po ndjekin nga afër gjithë situatën, si dhe janë marrë masa për: ndërprerje të importit të të imtave nga vende ku është shfaqur sëmundja; AKVMB ka ngritur grupe pune për sensibilizimin e trupës së saj inspektuese dhe të blegtorëve; janë informuar fermerët për shenjat e klinike të sëmundjes dhe masat që duhen marrë në çdo rast dyshimi; në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe atë Kufitare janë ngritur grupe të përbashkëta kontrolli në akset nacionale dhe zonat kufitare për kontrollin e lëvizjes së kafshëve me dokumentacion sipas legjislacionit. Këto grupe janë të gatshme 24 orë”, njofton Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë.
Gjithashtu inspektorëve të AKU në Pikat e Kalimit Kufitar në çdo rast do t’i bashkohen veterinerë kontrolli të Shërbimit Veterinar për verifikimin e gjendjes së kafshëve. Ndërkohë është komunikuar me autoritetet e bashkive kufitare me Greqinë për të bashkëpunuar me shërbimin veterinar.