Austria u përfaqësua në Eurovision Song Contest 2025 me këngën “Wasted Love”, shkruar nga Johannes Pietsch, Teodora Špirić dhe Thomas Thurner, dhe interpretuar nga vetë Pietsch (vetëm 23-vjeçar) me emrin e tij artistik JJ.
Kjo është fitorja e 3-të e Austrisë në Eurosong.
Grupi shqiptar Shkodra Elektronike u rendit i teti me 218 pikë në edicionin e 69-të të Eurovision Song Contest 2025, në Bazel. Të larta ishin pritshmëritë për këngën shqiptare “Zjerm”, duke qenë se pati vlerësime të shumta si online ashtu edhe nga medie të ndryshme evropiane e më gjerë. Nga 37 vende pjesëmarrëse në këtë garë të këngës evropiane, Shqipëria ka marrë pikët më të larta nga juria profesionale e Francës (12 pikë) dhe po ashtu edhe juria profesionale shqiptare votoi maksimalisht këngëtaren franceze. “Zjerm” mori 173 pikë nga vota e publikut.
Shqipëria u paraqit me një performancë dinamike që tërhoqi vëmendjen e publikut evropian. Kënga “Zjerm” ishte një krijim i shkruar dhe interpretuar nga Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, dy muzikantë shqiptarë të cilët kanë emigruar në Itali. Tek “Zjerm”, ata kanë bërë bashkë elemente të muzikës elektro-pop me motive tradicionale shqiptare. Ndër vite, Shkodra Elektronike ka performuar në disa festivale të mëdha nëpër Evropë, duke përfshirë Paléo Festival (Gjenevë), Festivalin EXIT (Novi Sad), Festivalin MOST (Veszprém), Konferencën e Muzikës Pin (Sofje) dhe SoAlive (Vjenë).
Dyshja aktualisht është duke prodhuar albumin e tyre debutues, i cili do të përfshijë disa veçori prestigjioze. Të regjistruar tashmë për t’u paraqitur në të janë Kori Iso-Polifonik Shqiptar (një trashëgimi kulturore e UNESCO-s), Redi Hasa dhe Roy Paci.