Në kuadër të seminarit ndërkombëtar “Lufta kundër trafikimit të jashtëligjshëm të pasurive kulturore në Ballkanin Perëndimor”, 60 përfaqësues të kulturës dhe të institucioneve ligjore të rajonit, vizituan Muzeun Kombëtar të Ikonografisë “Onufri” dhe qendrën historike të Beratit.
Pjesëmarrësit u shoqëruan në këtë vizitë pune nga drejtori i Qendrës Muzeore Berat, Miklor Pasku, i cili i njohu nga afër me shumë elemente të punës së kësaj qendre në parandalimin e çdo aktiviteti të jashtëligjshëm dhe masat që aplikohen për sigurinë e objekteve të trashëgimisë kulturore.
Miklor Pasku tha për ATSH-në se, asnjëherë nuk ka patur trafikim nga koleksionet e muzeve të Beratit, gjatë viteve të tranzicionit, gjë të cilën pjesëmarrësit e huaj në këtë seminar e vlerësuan maksimalisht.
Në ditën e fundit të seminarit, Miklor Pasku prezantoi një retrospektivë në vite të punës inventarizuese e kartelizuese në dy muzetë e kësaj qendre e gjithashtu një prezantim të përmirësimit në vite të masave të sigurisë fizike. Më tutje drejtori i Qendrës Muzeore Berat, ka bërë disa propozime për të përmirësuar këto aspekte.