Konferenca u moderua nga akademik Genc Sulçebe, kryetar i Komisionit të përhershëm të mjekësisë (ASHSH) dhe prof. asoc. Albana Fico.

Fico u shpreh se sëmundja tumorale është një sfidë e madhe kudo në botë, ku më pak e vlerësuar mbetet sfida se si preket cilësia e jetës postdiagnozë. Sipas saj, ky studim hap rrugën për një trajtim më të plotë të të sëmurëve dhe është një angazhim serioz në veprimtarinë e këtij procesi.

Në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave, pjesëmarrësit dhe organizatorët i përshëndeti sekretarja shkencore e Akademisë së Shkencave, akad. Anila Hoda, e cila vuri në dukje strategjitë e drejtimit të punës kërkimore. Ajo tha se Akademia e Shkencave e Shqipërisë e koncepton rolin e saj si një urë midis kërkimit shkencor, praktikës klinike dhe politikave shëndetësore duke vendosur gjithmonë në qendër njeriun dhe mirëqenien e tij fizike, psikologjike dhe sociale.

Zëvendësministrja e Arsimit, Armela Baka, vlerësoi punimet e kësaj konference si një studim shkencor që shkon përtej një takimi akademik, si një rezultat ndërinstitucional, duke u bërë një shembull i shkëlqyer për mundësitë e zhvillimit të kërkimi shkencor në vendin tonë.

Drejtoresha e QSUNT, Anxhela Paparizo tha se, kjo është një veprimtari shkencore që sjell për herë të parë në Shqipëri një vlerësim të strukturuar mbi cilësinë e jetës tek pacientët me kancer. Ajo theksoi se programi pasqyron një gamë të gjerë temash, nga prirjet e kancerit në Shqipëri, te dezinformimi në epokën digjitale, rëndësia e stadit të paraqitjes së tumorit, trajtimi psikoemocional dhe roli kyç i parandalimit përmes vaksinimit ndaj HPV-së.

Mirela Muço, drejtoreshë e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), si institucion financues i projektit kërkimor ‘Cilësia e jetës në të sëmurët me kancer në Shqipëri’ – postdiagnozë dhe trajtim – vlerësimi i parë në Shqipëri” e vuri theksin në investimin e qëndrueshëm në kërkimin shkencor cilësor, në teknologjitë inovative dhe bashkëpunimin institucional duke shkuar drejt zgjidhjeve konkrete në diagnostikimin e hershëm, si dhe diagnostikim e të personalizuar dhe cilësinë e jetës së pacientëve.