Saturday, November 23, 2024
HomeSHKENCA DHE JETAASHSH konferencë shkencore: Bajronizmi në botën shqiptare

ASHSH konferencë shkencore: Bajronizmi në botën shqiptare

Akademia e Shkencave e Shqipërisë do të organizojë në fund të muajit qershor 2024 një konferencë shkencore me temë: Bajronizmi në botën shqiptare. ASHSH fton të githë të interesuarit të marrin pjesë me punime në konferencën shkencore ndërkombëtare në 200-vjetorin e ikjes nga jeta të poetit romantik G. G. Byron – Lord Bajronit – autor i poemës së mirënjohur “Child Harold Pilgrims” – “Udhëtimet e djaloshit Harold”, një pjesë e së cilës u kushtohet shqiptarëve të shek. XVIII-XIX, kapedanëve arvanitë e suliotë të revolucionit kombëtar grek; bëmave të Ali Pashë Tepelenës, kryerebelit ballkanas ndaj sulltanit perandor e khalif; besnikërisë dhe virtyteve shqiptare “të pacenuara nga qytetërimi industrial”.

Më poshtë jepet e plotë thirrja për pjesëmarrje e bërë nga ASHSH:

Drejtuar studiuesve të letërsisë (specifikisht të ardhjes së romantizmit në botën shqiptare); të historisë kombëtare (me vështrim të posaçëm në burimet e shkruara e të dorëshkruara të udhëpërshkruesve romantikë europianë, të konsujve dhe misionarëve të tjerë); të antropologjisë; të lidhjeve shqiptaro-europiane në letërsi e kulturë; të rolit të romantikëve europianë për promovimin e identitetit shqiptar në Perëndim.

Kjo thirrje u drejtohet posaçërisht studiuesve të këtyre fushave në departamentet e letërsisë, gjuhës, etnologjisë dhe historisë në universitetet publike e jopublike në Shqipëri, në botën arbëreshe (ku romantizmi u shfaq për herë të parë); në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut; në qendrat e albanologjisë në Europë.

Ju ftojmë për pjesëmarrje me një kontribut tuajin në këtë konferencë, që organizohet nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, me mbështetjen e ASHAK-ut, në bashkëpunim me institutet e albanologjisë dhe institucionet e kërkimit shkencor në trojet shqipfolëse dhe qendrat albanologjike.

Kjo konferencë, që merr shkas nga 200-vjetori i ndarjes nga jeta të G. Byron-it, është parashikuar të mbahet në fund të muajit qershor 2024 dhe do të ketë si linjë themelore çështje të “biografisë shqiptare” të Byron-it (jetës së tij në mjedisin shqiptar) dhe bashkëlidhur me të:

– Receptimin e veprave të tij në disa gjuhë e kultura të Europës;

– Vendin e shqiptarëve në një nga poemat më të njohura të tij;

– Bajronizmin si prirje dhe dukuri, konceptuar si një nga dukuritë më të hershme të mitit të traditës dhe dukurinë e osianizmit;

– Njohjen e veprave të Byron-it në variante të shqipëruara e të përfshira në studimet mbi letërsinë e huaj të përkthyer në gjuhën shqipe;

– Trajtimin e veprave që kanë pasur shtysë nga vepra e këtij autori anglez (nga letërsia arbëreshe deri tek “Alipashiada” e Shehretit të Delvinës);

– Vendin e Shqipërisë në rrëfimet e peregrinëve, udhëpërshkruesve të huaj, të konsujve dhe misionarëve të huaj në shekujt që lidhen me romantizmin si dukuri.

Në konferencë do të trajtohen edhe:

– Çështje të periudhës më të hershme të romantizmit (pararilindja arbëreshe);

– Të fillimeve të idesë së shqiptarësisë (“l’albanesità”);

– Të utopisë kombëtare të Rilindjes;

– Të lidhjeve të poetëve romantikë shqiptarë me më të shquarit e kohës në Europë (Jetonim De Rada dhe Alphonse de Lamartine, Victor Hugo, Frédéric Mistral); të qasjes romantike europiane në letërsi e dije ndaj protagonistëve të atij shekulli në hapësirën shqiptare (Victor Hugo, A. Dumas);

– Të urave të hershme mbiadriatike ndërmjet shqiptarëve dhe arbëreshëve.

Ka vend për kumtime rreth vëmendjes europiane për shqiptarët për shkak të ekzotikës dhe të kultit të Orientit (“Lux ex Orientae”); rreth fillimeve të romantizmit gjuhësor si paraprirës i romantizmit kombëtar; rreth ndikimit të receptimit të parë të vlerave etnodalluese shqiptare (besa, nderi, mikpritja) në përfytyrimin e mëvonshëm të tyre përgjatë dy shekujve.

Mirëpresim propozimin tuaj për pjesëmarrje me kumtim bashkë me një abstrakt sintetik prej 300 fjalësh deri në datat 22-23 maj 2024. Tema e propozuar bashkë me abstraktin përkatës do të dërgohet në adresat elektronike: [email protected][email protected]

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments