Punimi dhe përpunimi i drurit dhe gurit janë elemente të cilat karakterizojnë gjithçka të ndërtuar në Gjirokastër dhe janë simbolikë e këtij qyteti. Mjeshtrat të cilët merren me to nuk mungojnë në çdo rrugicë e qoshkë ku shkel këmba e vizitorëve dhe çdo kush ka specialitetin e vet.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër sjell shembullin e Murat Këraj, një nga ata mjeshtra i cili është i specializuar në “ndërtimin” e “Cylës Dyjare” që me gjetjen e lëndës së parë, skicimin, prerjen harmonizimin e tingullit deri në trajtën përfundimtare të krijimit të saj.
Sipas tij cyla i ngjan një grupi polifonik të harmonizuar ku ka marës ,kthyes e hedhës të gjithë bashkë në një copë druri të përpunuar.
Murati e ka trashëgim nga babai dhe sipas tij cyla e ka shoqëruar familjen e tij në çdo event familjar gëzime ,dasma, por edhe vaki.
Cyla ndërtohet nga druri i panjës e cila ndodhet në zonën e Kardhiqit, ose piksit që sipas tij është e vështirë për t’u gjendur. Cyla në përgjithësi mer formën e gërmës A, ka 4 vrima në krahun e djathtë dhe 3 në krahun e majtë (që sipas tij formojnë grupin popullor) përmasat e të cilave merren me sy të lirë, si dhe dy “birbilat” ose pjesa që vihet në gojë dhe lëshon tingullin. Cyla dekorohet me elemente karakteristike të familjes, nivelit shoqëror por edhe simbole kombëtare.
Murat Këraj ka tashmë atelienë e tij në pazarin e Gjirokastrës ku pret e përcjell çdo ditë vizitorë vendas e të huaj të cilët shprehin interes për këtë vegël e që Murati e përgatit më dashurinë e gjirokastritit për t’i mbajtur sado pak gjallë ato elemente që na tregojnë kush jemi.