Saturday, November 23, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTKULTURE“Artizan në ecje”, shpalosja e kulturës rome

“Artizan në ecje”, shpalosja e kulturës rome

“Artizan në ecje” është minipanairi i zejeve dhe artizanatit, pjesë e Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, që do të qëndrojë i hapur deri në datën 4 dhjetor. Ky panair mbështetet nga Fondacioni Kulturor “Dritëro Agolli”. Olsi Sherifi, koordinator i projektit, tha për ATSH-në se minipanairi është i fokusuar te artizanet e komunitetit rom dhe se janë dashur 3 muaj punë për identifikimin e artizanëve të këtij komuniteti, jo vetëm në Tiranë por edhe nga Berati, Cërriku, Bilishti, Lezha etj. Qëllimi i këtij aktiviteti është shpalosja e kulturës dhe veprimtarive të artizanëve si dhe mundësi njohjeje me njëri-tjetrin dhe tregtimi i produkteve të tyre. “Artizan në ecje” ka bërë bashkë piktorë, fotografë, qëndistarë, punues thupre, prodhues vaji etj. Një prej pjesëmarrësve është dhe Xhenson Cela, novelist i ri, i përfshirë në disa projekte sociale. Ai në bashkëpunim me piktorin e ri, Oktavio Kazanxhiu, kanë sjellë libër me ilustrime, për fëmijë, i përkthyer në turqisht dhe në gjuhën rome. Përveç shkrimit, Xhensoni ka sjellë edhe një projekt të tijin, kukulla me materiale të riciklueshme, sipas imazheve të personazheve reale, liderëve politikë, personazheve historike, apo dhe personazheve të përrallave, por që i bashkon karakteri frymëzues. Në një tjetër stendë janë vendosur piktura nga fëmijët që frekuentojnë Qendrën Komunitare “Gonxhe Bojaxhi”. Mësuesi i pikturës, Sidrit Tarifa, tha për ATSH se janë të gjitha punime të fëmijëve deri në klasën e 9-të, nga familje rome dhe jo vetëm, tek të cilët ai përpiqet të kultivojë bazat e pikturës, por edhe t’i ndihmojë të kalojnë orët e lira në mënyrë kreative. Ngjitur me piktorët e vegjël, gjendet stenda e Shoqatës “Për një të ardhme më të mirë”, me gra rome dhe egjiptiane, nga qyteti i Cërrikut. Behije Balla, duke na treguar punimet e dorës që ka ekspozuar në stendë, thotë se mundohet që tua përcjellë pasionin e saj, fëmijëve të qendrës, të cilët vijnë nga familje me probleme ekonomike e sociale.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments