Artistja polake Maria-Rosa Szychowska po realizon edhe muralen në fasadën e godinës në pikën kufitare e doganore të Qafë Thanës.
Pas asaj të realizuar në Kapshticë, Szychowska po punon për muralen në Qafë Thanë, duke mundësuar një imazh të veçantë për turistët dhe qytetarët që lëvizin në të dy anët e kufirit.
Artistja polake “tha se “isha në Kapshticë javën e kaluar për rreth 10 ditë për të realizuar muralen, tani jam në Qafë Thanë për të pikturuar këtë muralen përfaqëson disa lule të zonës, e quajtura bozhur në shqip dhe do të sjellë shumë ngjyra dhe jetë në këtë godinë”.
“Do pikturoj edhe në pjesën ballore kur vjen nga Maqedonia e Veriut, kështu që mund të shikoni një pamje të bukur kur të mbërrini në Shqipëri”, tha ajo.
Szychowska u shpreh se “në Kapshticë ishte puna ime e parë. E dashuroj Shqipërinë, është e mahnitshme për shumë arsye”.
Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole zhvilloi një vizitë në pikën kufitare të Qafë Thanës, ku u takua me artisten polake Szychowska.
“Pikat e kalimit kufitar të Kapshticës dhe Qafë Thanës, si dy pikat kryesore të lëvizjes së qytetarëve në juglindje të vendit, kanë marrë të gjitha masat për një mjedis sa më mikpritës, në nisje të sezonit turistik veror”, tha Jole.
Jole u shpreh se edhe ky sezon veror po shënon një numër të lartë qytetarësh e turistësh që po kalojnë në këto dy pika kufitare.
Muralet janë kthyer në atraksionin më të ri turistik në disa qytete të vendit, ku syri kureshtar i qytetarëve mahnitet nga ngjyrat, ndërthurja e elementëve dhe sidomos nga mesazhet që transmeton ky art.