Arsimi profesional në sektorin e hoteleri-turizmit ka potencial të madh për të zhvilluar turizmin, duke sjellë përfitime të shumta.

Gjithnjë e më shumë ai po shihet si faktor në mbështetje të biznesit dhe zhvillimit ekonomik.

Falë bashkëpunimit me partnerë të rëndësishëm, nxënësit e Hoteleri-Turizëm zhvillojnë praktikën profesionale në ambiente pune, krijojnë lidhje me profesionistë të fushës dhe punësohen nga bankat e shkollës.

Juna, menaxhere e një hoteli thotë se bashkëpunimi me shkollën e hoteleri-turizmit ka filluar prej 8 vitesh, që në momentin e hapjes së hotelit.

“Ndër vite kemi pritur nxënës të shkollës së Hoteleri-Turizmit për të kryer praktikat mësimore profesionale. Këta nxënës vijnë me një formim teorik shumë të mirë dhe te ne kanë mundësinë të zhvillojnë më tej aftësitë e tyre teorike në praktikë. Ata njihen me standardet operative të një hoteli me 5 yje, teknologjitë më të fundit që përdoren në hotel dhe nga ana tjetër, ata marrin aftësitë bashkëpunuese, mësojnë punën në grup, respektimin e rregullave të punës, element shumë të rëndësishëm për zhvillimin e karrierës së tyre për të ardhmen në industrinë e turizmit”, tregon Juna.

Sipas saj, shumë prej nxënësve të shkollës që kanë kryer praktikën pranë hotelit edhe janë punësuar aty.

“Një pjesë e mirë e drejtuesve të departamenteve kryesore të hotelit janë ish-nxënës të kësaj shkolle që kanë përfunduar studimet e tyre vite më parë”, thotë ajo.

Ky bashkëpunim i suksesshëm është dëshmi e fuqisë së arsimit profesional për të transformuar jetën e të rinjve, për të mbështetur zhvillimin e sektorit të turizmit dhe hotelerisë në vend.

4828 të rinj u regjistruan në klasë të dhjetë, për të ndjekur arsimimin profesional, përmes aplikimit në portalin e-Albania, për vitin skollor 2024-2025.

Arsimi profesional ka avantazhe të shkëlqyera me reduktim e rimbursim tarifash, pajisjen me aftësi sipas tregut të punës, pa hequr të drejtën në vijimin e studimeve universitare.

Drejtimet që kanë më shumë kërkesë janë shërbimet e mjeteve të transportit me rreth 1 100 nxënës të regjistruar në klasë të 10-të, ose 23% e totalit.

Nga ana tjetër, në hoteleri-turizëm janë regjistruar rreth 960 nxënës, në teknologji informacioni janë regjistruar 740 nxënës, në elektronikë janë regjistruar 4705 nxënës, në ekonomi-biznes janë regjistruar 440 nxënës, në drejtimin teknologji ushqimore janë regjistruar 110 nxënës dhe në drejtimin bujqësi janë regjistruar 100 nxënës