Praktika është një komponent i rëndësishëm në formimin e nxënësve që ndjekin arsimin profesional dhe për këtë ndihmon biznesi. Zhvillimi i 40–50 për qind të orëve mësimore përkrah zanatçinjve me përvojë i pajis ata me njohuri të vlefshme, duke u dhënë mundësinë të jenë gati për tregun e punës.
Në shkollën “Thoma Papapano” në Gjirokastër, sipas RTSH-së, bëhet e ditur se mbi 65% e nxënësve që përfunduan studimet në qershor, sot e ushtrojnë zanatin e tyre.
“Punësimi bëhet shumë i lehtë në mbarim të shkollës. Mbi 70% e nxënësve të shërbimit të mjeteve motorike janë të punësuar aktualisht. Mbi 60% e nxënësve që mbarojnë drejtimin termo-hidraulik gjejnë vend pune pothuajse menjëherë”, deklaroi Ferdinand Makri, koordinator i marrëdhënieve me biznesin.
Ndryshe nga bashkëmoshatarët e tyre në gjimnaze, këtyre të rinjve u jepet mundësia të punojnë me kohë të pjesshme në biznese, duke siguruar edhe të ardhura personale.
“Kjo është në ndihmesën e të dyja palëve, edhe për nxënësit që fillojnë të kuptojnë nocionin ekonomik të aktivitetit të tyre, edhe për bizneset, sepse kompensojnë një pjesë të fuqisë punëtore”, shtoi Makri.
Shkolla profesionale “Thoma Papapano” u jep mundësinë të rinjve të zgjedhin mes pesë programeve për të cilat tregu ka kërkesa: Shërbime në Mjete Transporti, Elektroteknikë, Instalues i Sistemeve Termohidraulike, TIK dhe Hoteleri-Turizëm.
Për zhvillimin e praktikave profesionale në këto degë, ky institucion ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me 40 biznese që operojnë në Gjirokastër.