Arkivat prezantojnë 5 botimet më të reja studimore

0
3

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) paraqiti 5 botimet më të reja studimore, që trajtojnë tematika historike dhe të lëmit të arkivistikës.

Për vitin e dytë radhazi, në çeljen e siparit të Panairit Kombëtar të Librit, DPA-ja rikthehet pas një periudhe të gjatë mungese në funksionin e botueses, duke sjellë për libradashësit studime mbi periudha dhe figura të rëndësishme në historinë e vendit, si edhe mbi metodologjinë arkivore në hapësirën shqiptare.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin kreu i DPA-së, prof. asoc. dr. Ardit Bido, akademikë, anëtarë të Këshillit të Lartë të Arkivave (KLA), përfaqësues nga Arkivi Qendror Shtetëror (AQSH), të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASH), si dhe arkivistë e studiues të fushave përkatëse.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Bido, i cili moderoi edhe diskutimin në tryezën e rrumbullakët, nënvizoi se këto botime japin një kontribut në historiografinë shqiptare, duke vlerësuar në veçanti bashkëpunimin e DPA-së me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK) në përgatitjen e revistës arkivore të përvitshme.

“Ne financojmë botime që janë në suazën e përmbledhjeve të dokumenteve arkivore, të monografive, të revistës së Arkivave Shqiptare, si edhe të kolanës së botimeve të udhërrëfyesve, që shpresojmë ta hapim vitin tjetër. Janë katër botime të rëndësishme sa i përket historiografisë shqiptare. Unë do flas shkurtimisht për botimin e pestë, për revistën Arkivat Shqiptare. Kjo revistë është e përbashkët e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave dhe e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK), ku përmblidhen kumtesa dhe studime të fushës së arkivistikës. Është vendimarrje e vështirë sepse janë shumë të paktë ata që kryejnë një hulumtim mbi arkivistikën. Kjo sinergji që kemi me ASHAK-un dhe me Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup, na ka mundësuar që të kemi të rejat e fundit të shkencës së arkivistikës kudo në rajon, në mënyrë që jo vetëm të avancojmë, por edhe të unifikojmë standartet. Revista është produkt i Konferencave Mbarëkombëtare të Arkivistikës. Kemi qenë në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup, në Sarandë, në Tuz, në Boletin dhe në Manastir, me arkivistë nga Shqipëria, nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut dhe nga Mali i Zi. Revista ‘Arkivat Shqiptare’ ka krijuar traditën e vet, është viti i 59-të i botimit të saj”, u shpreh Bido.

Katër prej botimeve të publikuara rishtas vijnë në trajtën e punimeve monografike ose të përmbledhjeve të dokumenteve rreth personaliteteve dhe zhvillimeve historike. Mes tyre, bën pjesë edhe një udhëzues rreth tematikës së gjerë të punës kërkimore në arkiv. Në diskutimin e hapur të mbajtur në Sallën Ovale të Pallatit të Kongreseve, dr. Endrit Musaj, Myrteza Sharra, Vera Lushaj dhe bashkëstudiuesit Armando Boçe dhe Arbër Bilbili, referuan përkatësisht mbi botimet e titulluara:

“Manual tekniko-praktik për dokumentet dhe arkivat në Shqipëri”, “Musine Kokalari në dokumentet arkivore (Përmbledhje dokumentesh)”, “Dokumente të reja arkivore për Bajram Currin” dhe “Dokumente mbi marrëdhëniet e PPSH me partitë dhe lëvizjet marksiste-leniniste jashtë kampit socialist (Përmbledhje dokumentesh)”.

“Është libri më i plotë për arkivistikën bazuar në përvojën kombëtare dhe ndërkombëtare. Jep informacione, metoda teorike dhe praktike për arkivistët, për krijuesit dhe për përdoruesit e dokumentave”, tha dr. Musaj mbi botimin e përgatitur nga dr. Ivan Loli.

Studiuesi Bilbili shpjegoi se “Dokumente mbi marrëdhëniet e PPSH me partitë dhe lëvizjet marksiste-leniniste jashtë kampit socialist (Përmbledhje dokumentesh)”, përqendrohet në raportet politike të Shqipërisë komuniste me dy shtete europiane. “Ky vëllim përfshin dokumente mbi raportet reciproke me grupet, me veprimtarët dhe në ndonjë rast edhe me individë marksistë-leninistë nga Spanja dhe Italia të Partisë së Punës së Shqipërisë. Ashtu si në vëllimin e parë, janë përzgjedhur dy shtete europiane, kjo për vetë rëndësinë dhe vështirësinë që paraqisnin marrëdhëniet me grupet politike në këtë kontinent”, shpjegoi studiuesi Biblili.

Për të shtatin vit, bashkëpunimi mes DPA-së dhe Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK) kurorëzohet me botimin e numrit të radhës së revistës “Arkivat Shqiptare”. Ky publikim, që është i vetmi në fushën e arkivave në mbarë trojet shqiptare, përmbledh punimet periodike të studiuesve dhe të arkivistëve në mbarë trojet shqiptare, të prezantuara në Konferencat Mbarëkombëtare të Arkivistikës. Kjo revistë i mundëson çdo arkivisti apo të interesuari që të thellohet në disiplinën e arkivistikës, si shkencë të mëvetësishme nga historia apo nga shkencat e tjera të përafërta.

Botimet e prezantuara së fundmi, vijnë në përgjigje të thirrjes periodike të DPA-së adresuar çdo të interesuari të bashkësisë shkencore, për të përgatitur studime mbi një larmi temash në rrafshe të ndryshme të veprimtarisë publike. Këto botime, së bashku me të tjera publikime të mëparshme të DPA-së me tematika të rëndësishme historike, do të gjenden në stendën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASH), deri në mbyllje të panarit, ditën e diel, më datë 19 nëntor.