“Arkeologjia shqiptare në 75-vjetorin e krijimit të saj: arritje, risi dhe perspektiva”, titullohet konferenca e organizuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës.
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi në fjalën e tij tha se “arkeologjia shqiptare u institucionalizua si kërkim i specializuar me mbështetje shtetërore në vitin 1948, me ngritjen e të parit muze arkeologjik të vendit, që shenjon edhe kthimin e saj në vendin e vet. Me këtë vendim arkeologjia shqiptare u shndërrua në një shkencë të vërtetë dhe brenda dy dekadash u kapërcyen si romantizmi shkencor nga njëra anë, ashtu dhe shfrytëzimi i nëntokës shqiptare për të pasuruar muzetë e vendeve të mëdha, siç kishte ndodhur më parë me kulturën greke, egjiptiane, hebreje dhe hetite”.
Gjinushi foli për brezat e studiuesve të njohur arkeologë në Shqipëri, si Hasan Cekën, Selim Islamin, Frano Prendin, Skënder Anamalin, Eqrem Çabej, si dhe Muzafer Korkuti, Bep Jubani, Neritan Ceka, Aleksandra Mano, Aleksandër Dhima, Apollon Baçe, Aleksandër Meksi, etj.
“Brezi i parë i ndritur i themeluesve të arkeologjisë shqiptare, – theksoi akad. Gjinushi, – me Hasan Cekën, Selim Islamin, Frano Prendin e Skënder Anamalin, ka meritën historike që jo vetëm e mori në duart e veta zbulimin e qytetërimeve të lashta, por, siç u vlerësua prej studiuesve të huaj të ftuar në konferencën e dytë albanologjike kushtuar 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit (1968), me arritjet e veta, bëri që arkeologjia shqiptare të hynte në shkencën arkeologjike evropiane nga porta e madhe. Ndërsa Eqrem Çabej, në Kuvendin I të Studimeve Ilire (1972), do të pohonte se arritja më e madhe e atij kuvendi ishte që u provua se arkeologjia e re shqiptare po ofronte me sukses argumente bindëse në favor të vërtetimit të tezave të mbrojtura në gjuhësi për lashtësinë e shqipes, burimin ilir të saj dhe vazhdimësinë historike-territoriale të pandërprerë këtu ku jemi.”
Kryetari i Akademisë së Shkencave, Gjinushi tha se “brezi i dytë i arkeologëve, me personalitete të tillë si Muzafer Korkuti, Bep Jubani, Neritan Ceka, Aleksandra Mano, Aleksandër Dhima, Apollon Baçe e Aleksandër Meksi, ka meritën që jo vetëm e lartësoi me tej arkeologjinë si dije, si shkencë konkurruese me albanologjinë që zhvillohej në Botë, e njëherësh si promovuese të vlerave të qytetërimit iliro-shqiptar jashtë vendit në një kohë izolimi, por, edhe, që ia ndërroi vendin e rolin arkeologjisë në kuadër të disiplinave të tjera albanologjike”.