Një studim i ri nga Universiteti Kinda në Japoni ka zbuluar se një përbërës shumë i zakonshëm aminoacidi argininë mund të reduktojë ndjeshëm dëmtimet që lidhen me Alzheimerin, sipas Reuters.

Hulumtuesit zbuluan se arginina ndalon formimin e grumbullimeve të proteinës amyloid β (Aβ), që konsiderohet një nga shkaqet kryesore të sëmundjes. Ky zbulim sugjeron një mundësi të thjeshtë, me kosto të ulët dhe potencialisht të aksesueshme për trajtim.

Në laborator, testet in vitro treguan se arginina ngadalëson formimin e agregateve të Aβ42 në mënyrë të varur nga doza. Pasi panë rezultate premtuese në laborator, shkencëtarët e testuan këtë aminoacid në dy modele të sëmundjes së Alzheimerit: një model me mizat “drosophila” dhe një model me minj të ndryshuar gjenetikisht. Në të dy rastet, arginina uli ndjeshëm grumbullimin e amyloidit dhe zvogëloi efektet toksike ndaj qelizave nervore.

Studiuesit raportuan se tek minjtë, marrja orale e argininës uli formimin e pllakave të amyloidit, zvogëloi nivelet e Aβ42 të patretshme dhe përmirësoi sjelljen, duke treguar më pak humbje memorjeje.

Për më tepër, u pa një ulje e inflamacionit në tru, një faktor i rëndësishëm që përshpejton përkeqësimin e Alzheimerit.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm është siguria e lartë e argininës. Ajo përdoret prej vitesh si suplement dhe si substancë mjekësore, gjë që e bën të lehtë për t’u studiuar më tej te njerëzit, duke anashkaluar shumë nga fazat e rrezikshme të zhvillimit të barnave të reja.

Studiuesit theksojnë se doza që përdorën në eksperimente nuk është e njëjtë me suplementet tregtare, ndaj kërkohen prova klinike për të përcaktuar sasinë e duhur për njerëzit.

Shkencëtarët besojnë se efektet e argininës shkojnë përtej uljes së amyloidit. Ajo duket se vepron si “chaperon kimik”, duke parandaluar palosjen e gabuar të proteinave, një proces që lidhet me shumë sëmundje neurodegjenerative.

Kjo mund të hapë derën për përdorime të reja të argininës edhe në sëmundje të tjera të trurit.

Ky studim është një shembull i qartë i qasjes së quajtur “drug repurposing”, pra ripërdorimi i përbërjeve të sigurta për indikacione të reja.

Për shkak se arginina tashmë është e aprovuar dhe ka kosto të ulët, ajo mund të hyjë relativisht shpejt në prova klinike për Alzheimer.

Megjithëse rezultatet janë shumë premtuese, studiuesit paralajmërojnë se është shumë herët për të thënë nëse këto efekte do të përsëriten edhe te njerëzit. Kërkimet e ardhshme do të duhet të përcaktojnë dozën, mënyrën e përdorimit dhe ndikimin afatgjatë.

Në fund, kërkimi sugjeron një mundësi të thjeshtë dhe potencialisht globale: një suplement i zakonshëm dhe i përballueshëm mund të luajë një rol të rëndësishëm në luftën kundër një prej sëmundjeve më të rëndësishme të shekullit.

Rezultatet hapin perspektiva të reja për trajtime më të thjeshta dhe më të sigurta për pacientët me Alzheimer