Arabia Saudite pret një takim special të Forumit Ekonomik Botëror (WEF), i cili pritet të dominohet nga lufta në Rripin e Gazës dhe tensionet në Lindjen e Mesme.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, përfaqësues palestinezë dhe diplomatë të lartë të përfshirë në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit janë ndër pjesëmarrësit në takimin dyditor në kryeqytetin Riad.
Blinken do të udhëtojë nesër drejt Riadit për të “diskutuar përpjekjet e vazhdueshme për të arritur një armëpushim në Gaza që lejon lirimin e pengjeve”, tha të shtunën Departamenti i Shtetit.
Ai gjithashtu do të “theksojë rëndësinë e parandalimit të një shtrirjeje rajonale” të luftës që Izraeli ka zhvilluar në Rripin e Gazës që nga sulmet e përgjakshme të Hamasit në tokën e tij më 7 tetor, sipas një deklarate nga zëdhënësi i DASH-it, Matthew Miller.
“Bota po ecën në një litar të ngushtë sot, duke u përpjekur të gjejë një ekuilibër midis sigurisë dhe prosperitetit”, tha Faisal al-Ibrahim, Ministri saudit i Planifikimit, në një konferencë për shtyp të shtunën.
“Ne takohemi në një kohë kur një gabim gjykimi, një gabim llogaritjeje ose një keqkomunikim do të përkeqësonte më tej sfidat tona”, shtoi ai.
Lufta ka filluar në Rripin e Gazës që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor në Izrael, i cili rezultoi në vdekjen e 1 170 personave.
Më shumë se 250 njerëz janë rrëmbyer dhe 129 mbeten robër në Gaza, 34 prej të cilëve kanë vdekur sipas zyrtarëve izraelitë.
Si hakmarrje, Izraeli u zotua të zhdukë lëvizjen islamike palestineze në pushtet në Gaza që nga viti 2007 dhe nisi një ofensivë që la më shumë se 34,000 të vdekur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Hamasit