Shkrimtari Ag Apolloni, me librin “Kësulëkuqja – përrallë për të rritur”, ka marrë çmimin “Special Mention”, nga European Union Prize for Literature, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për letërsi nga Bashkimi Evropian, të mbajtur në panairin e librit në Lajpcig të Gjermanisë. Lajmi është bërë i ditur nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. Çmimin e Bashkimit Evropian për Letërsi e fitoi Martina Vidaić nga Kroacia. Ndërsa në mesin e 13 autorëve të nominuar për çmimin “Special Mention”, këtë çmim e kanë fituar Kosova, Qiproja, Estonia, Finlanda dhe Franca. Çmimi i Bashkimit Evropian për Letërsi (EUPL), i mbështetur nga programi Creative Europe i Bashkimit Evropian, është një iniciativë për të njohur shkrimtarët më të mirë të letërsisë në zhvillim në Evropë. “Çmimi synon të vërë në qendër të vëmendjes krijimtarinë dhe pasurinë e larmishme të letërsisë bashkëkohore evropiane në fushën e letërsisë artistike, të promovojë qarkullimin e letërsisë brenda Evropës dhe të inkurajojë një interes më të madh për veprat letrare. Fituesit e përzgjedhur promovohen me synimin për të zgjeruar audiencën e lexuesve përtej kufijve kombëtarë dhe gjuhësorë”, thuhet në njoftimin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. atsh