Çdo drejtues apo pjesë e një projekti për trashëgiminë kulturore që meriton njohje në nivel evropian, tashmë mund të aplikojë për çmimet European Heritage Awards dhe Europa Nostra Awards 2026.
Creative Europe-Albania njoftoi sot përmes një publikimi në rrjetet sociale, se tashmë aplikimet janë të hapura dhe do të vazhdojnë deri më 9 shtator 2025.
Kjo është një mundësi për të konkurruar për një nga çmimet më prestigjioze në Europë për sa i përket trashëgimisë kulturore. Çmimet njohin arritje të jashtëzakonshme në fushat e mbrojtjes, konservimit, kërkimit, edukimit dhe promovimit të trashëgimisë kulturore.
Çmimet Europa Nostra Awards dhe European Heritage Awards u prezantuan fillimisht në vitin 2002 nga Komisioni Europian dhe menaxhohen nga Europa Nostra. Që prej atij viti, këto çmime mbështeten nga Creative Europe.
Që nga viti 2014, Creative Europe ka mbështetur projekte për të nxitur diversitetin kulturor, për të promovuar shprehjen artistike dhe për të rritur potencialin ekonomik të industrive krijuese.