Temperaturat e larta që po vazhdojnë prej një periudhe të gjatë kohore kanë shtuar rrezikun e vatrave të zjarrit në disa zona të vendit. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro apeloi sot qytetarët për kujdes e vigjilence, ndërsa u kërkoi atyre të mos ndezin zjarre në ambiente të hapura dhe të sinjalizojnë çdo vatër në mbrojtje të pyjeve, ekonomisë, jetës. Kjo javë që po mbyllet nuk ka qenë aspak e lehtë për qarkun e Gjirokastrës, ku zona e Dropullit është përballur me zjarre masive në këto ditë të nxehta, çka e ka bërë edhe më të vështirë menaxhimin e tyre. Ministja Kumbaro bëri të ditur se të gjitha strukturat vendore e qendrore, përfshirë edhe Forcat Armatosura dhe ato të Policisë u angazhuara për vënien nën kontroll e shuarjen e vatrave të zjarrit.