Në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin vijon vaksinimi falas kundër gripit të stinës.
Vaksinimi po kryhet tek grupet e rrezikuara, si personeli shëndetësor, fëmijët, gratë shtatzëna, të sëmurët kronikë dhe të moshuarit.
Në qendrat shëndetësore ka nisur në 7 tetor vaksinimi falas kundër gripit, si mjeti më efikas dhe mbrojtja më e mirë kundër virozave respiratore që shkaktohen nga ky virus.
Këtë vit Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka siguruar 20 mijë doza më shumë se një vit më parë dhe do të vijojë të kryhet për grupet e riskut sipas një kalendari të përcaktuar nga strukturat e shëndetësisë.
Në kuadër të Programit Kombëtar të Vaksinimit janë siguruar 280 000 doza vaksinash të shpërndara tashmë në të gjithë vendin.