Drejtoresha e ISHP paralajmëroi se përhapja e dezinformatave ka ndikuar drejtpërdrejt në shëndetin publik, duke çuar në shpërthime epidemike si fruthi dhe pertusi, që u regjistruan paralelisht për një periudhë gjashtëmujore gjatë vitit 2024.
“Industritë farmaceutike që janë në konkurrencë japin induksion, informacion të gabuar, duke induktuar mendimin dhe sugjestionimin e popullatave, bëri të kushte zbehje dhe solli shpërthim epidemik paralale, ‘fruthi’ dhe ‘pertusis’ që shkuan si dy shpërthime paralele gjatë 2024-ës për 6 muaj me radhë.”, tha ajo.
Tomini bëri thirrje për bashkëpunim më të ngushtë me strukturat shëndetësore dhe për marrjen e informacionit vetëm nga burime zyrtare dhe të besueshme.
Sipas Tominit, këshillimi me mjekun është hapi më i sigurt për çdo vendimmarrje mbi shëndetin.
“Përveç vaksinave të detyrueshme për fëmijët, në program janë përfshirë edhe vaksina për udhëtarët, si dhe vaksinime të posaçme për të parandaluar forma të ndryshme të sëmundjeve alergjike. Fuqizimi i sistemit imunitar duhet të mbështetet edhe nga faktorë të jashtëm si vaksinat, duke kujtuar se nga viti 2019 ka pasur një rënie të ndjeshme të përqindjes së vaksinimit në popullatë, fenomen që lidhet me mungesën e informacionit të saktë dhe përhapjen e teorive të rreme”, tha Tomini.
Drejtoresha e ISHP-së vuri në dukje se “shoqëria përballet me rryma dhe ndikime të ndryshme që krijojnë dyshime, veçanërisht ndaj vaksinave. Ka pasur pretendime të pabazuara shkencërisht për lidhjen mes vaksinës MMR dhe autizmit, por këto janë rrëzuar me kohë dhe artikujt përkatës janë tërhequr nga botimi për mungesë të provave”.