Në Portin e Durrësit fundjava e parë e gushtit ka sjellë një fluks të lartë udhëtarësh. Autoriteti Portual Durrës bëri të ditur për ATSH-në se “ të shtunën, të dielën dhe gjatë ditës së sotme në port kanë hyrë 20 378 udhëtarë”. “Konkretisht të shtunën me 6 tragete (5 nga Bari dhe 1 Ankona), kanë hyrë 7245 udhëtarë, të dielën me 6 tragete (5 nga Bari dhe 1 Ankona) kanë hyrë 8669 udhëtarë dhe 2934 mjete. Ndërsa ditën e sotme me 3 tragete (2 nga Bari dhe 1 Ankona) kanë hyrë 4464 pasagjerë dhe 1224 mjete”, tha APD. Sipas APD-së, të gjitha strukturat e portit janë në gatishmëri të plotë për përballimin e fluksit të shtuar përgjatë këtij sezoni turistik. Nga data 20 korrik Porti i Durrësit operon me lundrime të dyfishuara me pesë tragete në ditë, duke e çuar numrin mesatarisht këto ditë në rreth 7 mijë pasagjerë në ditë. Në terminalin e pasagjerëve janë marrë masat për të përpunuar me kapacitet maksimal, me 32 sportele, 20 për makinat dhe 12 sportele për këmbësorët.
APD: Mbi 20 mijë udhëtarë në tre ditët e fundit në Portin e Durrësit
RELATED ARTICLES