Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha sot se në shërbimin e okulistikës pranë këtij spitali, janë futur aparaturat e reja si OCT (skaneri i syrit), për diagnostikimin e saktë të retinës dhe nervit optik, topografia korneale për sëmundjet e kornesë, ekoja okulare për vlerësimin e dëmtimeve okulare pas traumave, YAG Laser për trajtimin e kataraktit sekondar dhe Green Laser për retinopatinë diabetike dhe dëmtimet vaskulare të retinës.

Dr. Elvis Veli, shefi i shërbimit ORL pranë Spitalit Universitar të Traumës, shprehet se këto aparatura diagnostike dhe terapeutike në shërbimin e okulistikës janë me rëndësi për trajtimin e një sërë patologjive të syrit.

“Me rëndësi është OCT-ja, ajo që njihet si skaneri i syrit dhe që shërben për diagnostikimin e një sërë patologjive retinale të nervit optik, ndërsa është shumë e rëndësishme në okulistikë. Një tjetër aparaturë është topografia korneale për sëmundjet e kornesë që shërben për ekzaminim e kornesë, një sërë patologjive korneale dhe sidomos për njërën prej tyre që është keratokonus. Kjo është aparatura që vendos diagnozën”, tha ai.

“Ekoja okulare është shumë e rëndësishme për traumat okulare për të parë çfarë dëmtimesh kanë ndodhur në pjesën e pasme të syrit gjatë një traume. YAG Laser për trajtimin e kataraktit sekondar, i cili shërben për trajtimin e disa patolgjive, ose katarakta sekondare që ndodh në një sy të operuar pas një afati kohor të caktuar”, shtoi Veli, ndërsa një tjetër aparaturë sipas tij është Green Laser, e cila shërben për trajtimin e retinoptisë diabetike, e cila është një sëmundje shumë e shpeshtë në të sëmurët me diabet, por edhe një sërë patologjish të tjera të retinës që kanë të bëjnë më dëmtimet e enëve vaskulare të retinës.