Në një analizë të botuar në “The Conversation”, ekspertët vërejnë se përtej ofertave joshëse, ekziston edhe rreziku i pendimit për blerjet e pamenduara.

Çfarë i ndodh trurit të konsumatorit kur mbingarkohet nga një cunami ofertash?

Sipas një studimi online, të kryer nga “Shkolla e Menaxhimit Yale”, në New Haven, SHBA – i bazuar mbi një anketë të pjesëmarrësve në SHBA dhe Britani të Madhe, vetëm 38% e blerësve të së Premtes së Zezë – blenë në mënyrë strikte atë që kanë planifikuar paraprakisht.

Gjithashtu, është vlerësuar gjithashtu se 1 në 3 blerës kthen artikujt që kanë blerë gjatë javës së super ofertave.

Tërheqja qëndron në formulën, e cila mbështetet në dy shtylla: premtime të mëdha për kursime të mëdha dhe oferta vetëm njëditore që i nxit blerësit të mos i humbasin ato.

E Premtja e Zezë, nuk është vetëm një ditë (që tani shtrihet në më shumë se dy javë) me produkte me ulje.

Është gjithashtu një ngjarje psikologjike, e projektuar me kujdes për të shfrytëzuar mënyrën se si truri ynë merr vendime.

“Kur zgjedhim midis opsioneve të ndryshme, siç është, nëse duhet të blejmë apo jo një televizor të ri, truri ynë peshon të mirat dhe të keqijat e secilës zgjedhje”, tha autorët e artikullit.

Ne krahasojmë çmimet, karakteristikat, vlerësimet dhe atë që mund të përballojmë.

Sapo të ndiejmë se kemi informacion të mjaftueshëm, vendosim. Megjithatë, ky proces zakonisht kërkon kohë.

Sa më i rëndësishëm të jetë vendimi, aq më shumë prova duam të mbledhim. Por kur jemi nën presion, gjërat ndryshojnë.

Truri ul pragun e informacionit që i nevojitet përpara se të vendosë.

Me fjalë të tjera, presioni i kohës i bën vendimet më të shpejta.

Kjo mund të jetë e dobishme kur është e rëndësishme të veprohet shpejt, por gjatë shitjeve, i njëjti proces i shpejtë i vendimmarrjes mund të çojë në shpenzime impulsive.