Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) nxori për konsultim publik projektrregulloren për përcaktimin e rregullave lidhur me formën, përmbajtjen dhe afatet kohore të raportimit të pasqyrave financiare dhe raporteve të tjera të shoqërisë administruese, fondit të pensionit privat dhe depozitarit.
Sipas rregullores së re shoqëria administruese duhet të hartojë dhe publikojë pasqyra financiare në përputhje me ligjin “Për fondet e pensionit privat”, me dispozitat ligjore për kontabilitetin dhe në përputhje me standardet kontabël (SNRF) të pranuara ndërkombëtarisht.
Shoqëria administruese depoziton në Autoritet, raportin vjetor të kontrollit të brendshëm në lidhje me veprimtarinë e shoqërisë dhe fondeve të pensionit privat që administron brenda muajit janar të çdo viti pasardhës.
Pasqyrat financiare të shoqërisë administruese dhe fondit të pensionit privat, duhet të depozitohen me shkrim pranë Autoritetit si dhe në formë elektronike nëpërmjet sistemit pranë link-ut të vënë në dispozicion në faqen zyrtare të Autoritetit për këtë qëllim.