Në kuadër të këtij turi ambasadori Nicholas Abbott tha nga Kukësi se “Mbretëria e Bashkuar është partneri juaj për rritjen ekonomike dhe sipërmarrjen. Ne besojmë në potencialin e Shqipërisë dhe jemi të angazhuar të punojmë me ju si partnerë për përparim”.
“Mbretëria e Bashkuar ka një angazhim të gjatë për të mbështetur zhvillimin këtu dhe në të gjithë Shqipërinë. Me kalimin e viteve ne kemi investuar në projekte që kanë përmirësuar zhvillimin ekonomik dhe edukimin për të rinjtë. Ne duam që ata të shkëlqejnë, të kontribuojnë në vendin e tyre nëpërmjet sipërmarrjes dhe të konkurrojnë me sukses në tregun e teknologjisë”, theksoi Abbott.
Ambasadori britanik u shpreh se “Kukësi ka një komunitet të gjallë me një histori dhe kulturë të pasur. Jam veçanërisht i impresionuar nga idetë novatore të biznesit të paraqitura nga brezi i ri dhe fryma e njerëzve këtu. Është kjo frymë që frymëzon partneritetin tonë”.
Përmes turit të ambasadës, vijoi Abbott, ne prezantojmë nisma që ndihmojnë njerëzit në veri të Shqipërisë që të ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu.
“Ne po krijojmë mundësi në teknologji, biznes dhe sektorë të tjerë kryesorë”, tha Abbott.
Si pjesë e këtij turi, Ambasada britanike informoi mbi suksesin e pesë të rinjve, të cilët kanë vendosur ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri, duke treguar ndikimin pozitiv të bashkëpunimit mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë.
Irda, 26 vjeçe, gazetare nga Kukësi, tha se “shpeshherë të rinjtë në Shqipëri shihen si të pashpresë, por në fakt unë mendoj se është e kundërta. Të rinjtë shqiptarë janë punëtorë, por nuk e kuptojnë se e mira gjendet në vendin e tyre. Mendoj se edhe këtu mund të jesh i suksesshëm, duke e nisur me hapa të vegjël”.