Pas shkatërrimit nga dora e njeriut, ndryshimet klimatike tashmë kanë shtyrë pyjet e Amazonës drejt një procesi degradimi dhe vetëshpyllëzimi. Sipërfaqet pyjore po humbasin aftësinë e shkëmbimit të avujve të ujit me atmosferën duke pakësuar reshjet globale. Po ashtu, ngrohja globale ka çuar në rritjen e temperaturës në pyjet e Amazonës duke zgjatur thatësirat ekstreme dhe zjarret, një ndër shkaktarët kryesor të shpyllëzimit në shkallë globale. Amazona ka arritur në “prag të humnerës” me mbi 17% të pyjeve të shkatërruara plotësisht dhe ku rreth 75% e pyjeve të mbetura, kërcënohen seriozisht nga ndryshimet klimatike.

Ky trend i shkatërrimit të Amazonës ka alarmuar specialistët e pyjeve dhe biodiversitetit të cilët vlerësojnë se, në më pak se 3 dekada ky shkatërrim do dërgojë Amazonën në një pikë pa kthim ku një pjesë e pyjeve të Amazonës do të thithë shumë më pak karbon dhe do të emetojë shumë herë më tepër. Specialistët alarmojnë se, nëse Amazona humbet rolin e saj si mushkëria e botës, deri në mesin e këtij shekulli Amazona mund të shndërrohet në një “bombë karboni” globale.