Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, gjatë procesit të monitorimit dhe shqyrtimit të përmbajtjeve të transmetuara nga OSHMA-të, referuar kërkesave të ligjit 97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ka identifikuar një problematikë të përsëritur. Përmes një njoftimi, AMA theksoi se duke vlerësuar maksimalisht mbulimin audioviziv të çështjeve të sigurisë së rendit publik, investigimet për zbardhjen e ngjarjeve kriminale aktuale apo të mëhershme, ndihmesën në parandalimin e akteve kriminale, hetimin e autorëve të dyshuar, etj, AMA njëkohësisht konstaton me shqetësim, se persona me precedentë penalë herë-herë trajtohen si “heronj” dhe lihen të bëjnë protagonizëm, duke justifikuar me nota aventureske aktet e tyre të dhunës, të tjera shkelje ligjore apo sjellje shoqërisht të dëmshme. “Qasje të tilla nxisin dhe justifikojnë dhunën apo rikthejnë konfliktin mes shtetasve”, thuhet në njoftimin e AMA-s. Sipas AMA-s, bazuar në ligjin 97/2013, i ndryshuar ( neni 4, Parimet themelore për veprimtarinë e transmetimeve audiovizive), sipas të cilit OSHMA-të udhëhiqen nga parimi i moslejimit të transmetimeve që “nxisin intolerancën ndërmjet shtetasve”, (pika 2/d), “nxisin dhe justifikojnë dhunën” apo “ mund të nxisin vepra penale” ( neni 33, pika 1/d), veç mesazhit të gabuar, që japin për mbarë shoqërinë, këto përmbajtje audiovizive, referuar orarit të transmetimit, ndikojnë negativisht veçanërisht te të miturit, duke nxitur imitimin e modeleve dhe formave të sjelljes së papërshtatshme dhe ushtruar rrjedhimisht ndikim negativ në edukimin e tyre. Kjo megjithëse referuar ligjit 97/2013, i ndryshuar, transmetimet audiovizive duhet të “respektojnë në mënyrë të veçantë të drejtat, interesat dhe kërkesat morale e ligjore për mbrojtjen e fëmijëve”, (neni 4, pika 1/b). Nisur nga sa më sipër, AMA ka adresuar disa tërheqje vëmendjeje për OSHMA-të, ndërkohë që vijon monitorimin e përmbajtjeve të transmetuara. Në këtë kontekst, AMA nxit të gjitha mediat të angazhohen në evitimin e përmbajtjeve të papërshtatshme, që promovojnë dhe justifikojnë dhunën, përmes prezantimit glorifikues emocional të personave me precedentë penalë. “Për rastet e evidentuara do të ndiqen procedurat administrative, sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim.http://ata.gov.al/2022/10/01/ama-apel-per-shmangien-e-permbajtjeve-audiovizive-qe-nxisin-dhe-justifikojne-dhunen/