Albanologu i shquar danez Holger Pedersen

0
4

Profesori i Universitetit të Kopenhagenit i kushtoi studimit të shqipes vëmendje parësore. Teza e tij qendrore mbronte prejardhjen e shqipes nga ilirishtja dhe vinte theksin te ndryshimet e papërfillshme midis dialekteve të shqipes, krahasuar me gjuhë të tjera. Pedersen është autor i një sërë librash me rëndësi në lëmin e studimeve gjuhësore. Ka botuar në gjermanisht dhe në danisht një varg studimesh e veprash për gjuhët kelte e balto-sllave, si edhe për shqipen. Gjatë qëndrimit në Korfuz në vitin 1893, albanologu mblodhi këngë e përralla, të cilat i botoi të përmbledhura në veprën me interes gjuhësore e folklorik, “Albanische Texte mit Glossar”, Lajpcig, 1895 (Tekste shqiptare me fjalor). Në vargun e botimeve mbi shqipen, publikoi veprat: “Kontribut për historinë e gjuhës shqipe” (1894), Tinguj të shqipes (1897), “Asnjanësi i shqipes” (1899), “Grykoret e shqipes” (1900), “Studime për gjuhën shqipe”, Prishtinë, (2003) etj. Në këto botime shkencore, shpjegoi probleme të vështira të fonetikës dhe të gramatikës historike të shqipes, sistemet nyjore, pronoret e shqipes etj. DPA publikoi së bashku me fotografinë e albanologut edhe një shkrim të Pedersen-it me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit.