Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura u bëri apel sot banorëve që jetojnë pranë këtyre zonave si dhe turistëve që të tregojnë sa më shumë kujdes gjatë stinës së verës për të shmangur rënien e zjarreve. “Marrë shkas nga rritja e temperaturave përgjatë kësaj jave dhe në vijim, parashikuar edhe nga Instituti i Gjeoshkencave, ftojmë të gjithë banorët që jetojnë në brendësi të zonave të mbrojtura, bizneset lokale, vizitorët, etj., të tregojnë sa më shumë kujdes dhe përgjegjshmëri përgjatë frekuentimit të zonave të mbrojtura”, thekson AKZM. Shërbimi Zjarrfikës, Policia e Shtetit dhe strukturat e AKZM në 12 qarqe janë në gatishmëri për të ardhur në ndihmë përgjatë gjithë sezonit veror. “Të gjithë së bashku mund të parandalojmë, paralajmërojmë dhe reagojmë në kohë, në mënyrë që viti 2023 të jetë një vit me më pak zjarre”, tha AKZM. Zonat e Mbrojtura janë oaz i biodiversitetit në Shqipëri. Zgjerimi i Zonave të Mbrojtura në Shqipëri synon të rrisë integritetin e këtyre zonave, për gjendjen e paprekur të tyre, krahasuar me zona të tjera të vendit, për biodiversitetin e lartë dhe për habitatet e rralla që bartin. atsh