“Muzeu në Shesh” ishte aktiviteti i zhvilluar nga Muzeu Historik Kombëtar, me synimin për ta sjellë historinë më pranë publikut dhe për të nxitur një atmosferë kureshtjeje e përfshirjeje. Nën moton “E ardhmja e muzeve në komunitete që ndryshojnë shpejt”, ky aktivitet ishte një ftesë për të reflektuar mbi rolin e muzeve në shoqëritë moderne.

Duke qenë se Muzeu Historik Kombëtar ndodhet aktualisht në proces rindërtimi, qasja ndaj komunitetit do të vijojë përmes një serie aktivitetesh me titullin “Muzeu në Shesh”.

Në aktivitetin zhvilluar së fundmi, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve,  në shesh u instalua ekspozita “Thesare nga Muzeu” si dhe u zhvilluan programe edukative për fëmijë.

Ekspozita “Thesare nga Muzeu” tërhoqi vëmendjen e shumë vizitorëve vendas dhe të huaj. Përmes paneleve me fotografi të objekteve muzeale dhe vendodhjes së tyre, vizitorët ndërmorën një udhëtim në histori, duke u njohur nga afër me trashëgiminë kulturore shqiptare. Çdo stendë kishte një histori për të treguar, duke e afruar publikun më shumë me të kaluarën.

Pjesë e këtij aktiviteti ishin edhe nxënësit e shkollës jopublike “Faik Konica”, të cilët përjetuan një udhëtim magjik në historinë shqiptare përmes lojës dhe argëtimit.

Në lojën zbavitëse “Mos u nxeh!”, fëmijët sfiduan durimin dhe aftësinë për të menduar me strategji, duke u angazhuar përmes tematikave të trashëgimisë kulturore. Loja u shndërrua në një mënyrë argëtuese për të mësuar më shumë rreth së kaluarës.

Ndërkohë, aktiviteti “Arkeologu i vogël” i transformoi fëmijët në arkeologë të vegjël, të cilët eksploruan me entuziazëm sekretet e së kaluarës. Me mjete të improvizuara, ata simuluan gërmime arkeologjike, duke bërë zbulime imagjinare që e shndërruan të shkuarën në një përvojë të prekshme.